Pyetja 1
Cila është shpresa jonë e vetme në jetë dhe vdekje?
Ne nuk i përkasim vetes por me mish e me shpirt, në jetë dhe në vdekje, i përkasim Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht!
Pyetja 2
Kush është Perëndia?
Perëndia është krijuesi dhe mbajtësi i të gjithave dhe të gjithëve. Ai është i përjetshëm, i pafund dhe i pandryshueshëm në pushtet dhe përsosmëri, mirësi dhe lavdi, urtësi, drejtësi dhe të vërtetë. Asgjë nuk ndodh veçse përmes Tij dhe vullnetit të Tij.
Pyetja 3
Sa persona ekzistojnë në Perëndinë?
Në Perëndinë e vetëm, të gjallë dhe të vërtetë ekzistojnë tre persona: Ati, Biri dhe Fryma i Shenjtë. Ata janë të njëjtë në thelb, të barabartë në pushtet dhe lavdi.
Pyetja 4
Si dhe pse na krijoi Perëndia?
Perëndia na krijoi mashkull dhe femër sipas shëmbëlltyrës së vet, për ta njohur, për ta dashur, për të jetuar me Të dhe për ta lavdëruar. Është e drejtë që ne që u krijuam prej Perëndisë të jetojmë për lavdinë e Tij.
Pyetja 5
Çfarë krijoi tjetër Perëndia?
Perëndia krijoi të gjitha gjërat përmes Fjalës së Tij të pushtetshme dhe i gjithë krijimi i Tij ishte shumë i mirë; gjithçka lulëzoi nën sundimin e Tij të dashur.
Pyetja 6
Si mund ta përlëvdojmë Perëndinë?
Ne e përlëvdojmë Perëndinë duke u kënaqur në Të, duke e dashur, duke i besuar dhe duke iu bindur vullnetit, urdhërimeve dhe ligjit të Tij.
Pyetja 7
Çfarë kërkon ligji i Perëndisë?
Ligji i Perëndisë kërkon bindje personale të përsosur dhe të vazhdueshme; që ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë, dhe ta duam të afërmin porsi vetveten. Ato, të cilat Perëndia i ndalon, nuk duhen bërë kurrë dhe ato që Perëndia i urdhëron duhen bërë gjithmonë.
Pyetja 8
Cili është ligji i Perëndisë i deklaruar në Dhjetë Urdhërimet?
Nuk do të kesh asnjë perëndi tjetër përveç Meje. Nuk do të bësh për veten tënde asnjë idhull në formën e ndonjë gjëje lart në qiell, mbi tokë apo nën tokë, ose në ujëra – nuk do të biesh përmbys para tyre dhe nuk do t’i adhurosh. Nuk do ta përdorësh më kot emrin e ZOTIT Perëndisë tënd. Mbaje mend ditën e Shabatit dhe shenjtëroje. Ndero atin tënd dhe nënën tënde. Nuk do të vrasësh. Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore. Nuk do të vjedhësh. Nuk do të japësh dëshmi të rreme. Nuk do të lakmosh. Nuk do të kesh perëndi të tjetër para Meje.
Pyetja 9
Çfarë na kërkon Perëndia në urdhërimin e parë, të dytë dhe të tretë?
Së pari, që ta njohim Perëndinë dhe të besojmë në Të si i vetmi Perëndi i gjallë dhe i vërtetë. Së dyti, që t’i shmangemi çdo lloj idhujtarie dhe të mos e adhurojmë Perëndinë në mënyra të papërshtatshme. Së treti, që ta trajtojmë emrin e Perëndisë me frikë dhe druajtje, duke nderuar Fjalën dhe veprat e Tij.
Pyetja 10
Çfarë na kërkon Perëndia në urdhërimin e katërt dhe të pestë?
Së katërti, të kalojmë kohë ditën e Shabatit nëpër shtëpitë dhe kishat tona duke e adhuruar Perëndinë, të çlodhemi nga punët e zakonshme, t’i shërbejmë Zotit dhe të tjerëve dhe në këtë mënyrë të presim Shabatin e përjetshëm. Së pesti, të duam dhe nderojmë babanë dhe nënën tonë duke iu nënshtruar drejtimit dhe disiplinës së tyre të perëndishme.
Pyetja 11
Çfarë na kërkon Perëndia në urdhërimin e gjashtë, të shtatë dhe të tetë?
Së gjashti, të mos lëndojmë, urrejmë apo tregohemi armiqësorë ndaj fqinjit tonë, por të jemi të duruar dhe paqësorë, duke iu shfaqur dashuri edhe armiqve tanë. Së shtati, të mos biem në shthurje seksuale dhe të jetojmë një jetë dëlirësie dhe besnikërie, si në martesë ashtu dhe në beqari; t’i shmangemi çdo dëshire, mendimi, fjale, shikimi apo veprimi të papastër dhe çdo gjëje tjetër që mund ta na çojë drejt tyre. Së teti, të mos marrim pa leje atë që i përket dikujt tjetër dhe të mos i refuzojmë asnjë mirësi atyre që mund të kenë dobi prej saj.
Pyetja 12
Çfarë na kërkon Perëndia në urdhërimin e nëntë dhe të dhjetë?
Së nënti, që të mos gënjejmë apo mashtrojmë, por të flasim të vërtetën në dashuri. Së dhjeti, që të jemi të kënaqur, të mos lakmojmë askënd apo të përbuzim ato që Perëndia u ka dhënë atyre apo neve.
Pyetja 13
A mund ta zbatojë ndokush ligjin e Perëndisë në mënyrë të përsosur?
Qysh prej rënies në mëkat, asnjë qenie njerëzore nuk ka qenë në gjendje që ta zbatojë ligjin e Perëndisë në mënyrë të përsosur, por në mënyrë të vazhdueshme e shkelim atë me mendime, fjalë dhe vepra.
Pyetja 14
A na krijoi Perëndia të paaftë për ta zbatuar ligjin e Tij?
Jo, por për shkak të mosbindjes së prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës, i gjithë krijimi ka rënë në mëkat; ne të gjithë kemi lindur në mëkat dhe faj, kemi një natyrë të prishur dhe nuk jemi në gjendje që ta zbatojmë ligjin e Perëndisë.
Pyetja 15
Përderisa askush nuk mund ta respektojë dot ligjin, cili është qëllimi i tij?
Që ne të njohim natyrën e shenjtë dhe vullnetin e Perëndisë si dhe natyrën mëkatare dhe mosbindjen e zemrave tona; dhe kështu të dallojmë nevojën tonë për një Shpëtimtar. Ligji gjithashtu na mëson dhe na nxit që të jetojmë një jetë të denjë për Shpëtimtarin tonë.
Pyetja 16
Çfarë është mëkati?
Mëkati është mohimi apo injorimi i Perëndisë në botën që Ai krijoi, rebelimi kundër Tij duke jetuar pa e konsideruar Atë, të mos qenit apo bërit atë çfarë ligji i Tij kërkon – gjë që sjell për pasojë vdekjen dhe shkatërrimin e gjithë krijimit.
Pyetja 17
Çfarë është idhujtaria?
Idhujtaria është të besuarit në gjërat e krijuara dhe jo në Krijuesin për shpresën, lumturinë, rëndësinë dhe sigurinë tonë.
Pyetja 18
A do ta lërë Perëndia mosbindjen dhe idhujtarinë tonë të pandëshkuar?
Jo, çdo mëkat ngrihet kundër sovranitetit, shenjtërisë, mirësisë dhe ligjit të drejtë të Perëndisë. Perëndia me të drejtë është zemëruar me mëkatet tona dhe do t’i ndëshkojë ato në gjykimin e Tij të drejtë si në këtë jetë ashtu dhe në atë të ardhmen.
Pyetja 19
A ka ndonjë mënyrë për t'i shpëtuar ndëshkimit dhe për t'u kthyer tek favori i Perëndisë?
Po, për të përmbushur drejtësinë e Tij, vetë Perëndia, i nxitur thjesht nga mëshira e Tij, na pajton me veten dhe na çliron prej mëkatit dhe ndëshkimit për mëkatin përmes një Shpengimtari.
Pyetja 20
Kush është Shpengimtari?
Shpengimtari i vetëm është Zoti Jezu Krisht, Biri i përjetshëm i Perëndisë, në të cilin Perëndia u bë njeri dhe e mbarti Vetë dënimin për mëkatet tona.
Pyetja 21
Çfarë lloj Shpengimtari na nevojitet për të na kthyer tek Perëndia?
Dikush që është vërtet njeri dhe vërtet Perëndi.
Pyetja 22
Pse duhet që Shpengimtari të jetë vërtet njeri?
Me qëllim që në natyrë njerëzore dhe për llogarinë tonë Ai t'i bindej në mënyrë të përsosur gjithë ligjit dhe të vuante ndëshkimin për mëkatin njerëzor; gjithashtu që të ketë dhembshuri për ne në dobësitë tona.
Pyetja 23
Pse duhet që Shpengimtari të jetë vërtet Perëndi?
Me qëllim që përmes natyrës së Tij hyjnore bindja dhe vuajtja e Tij të ishin të përsosura dhe të efektshme; gjithashtu që Ai të ishte në gjendje të mbartte zemërimin e drejtë të Perëndisë kundër mëkatit e megjithatë ta mundte vdekjen.
Pyetja 24
Pse ishte e nevojshme që Krishti Shpengimtari të vdiste?
Përderisa vdekja është ndëshkimi për mëkatin, Krishti vdiq vullnetarisht në vendin tonë për të na çliruar prej fuqisë dhe dënimit të mëkatit dhe për të na kthyer sërish tek Perëndia. Vetëm Ai na shpengon prej ferrit dhe fiton për ne faljen e mëkateve, drejtësinë dhe jetën e përjetshme përmes vdekjes së Tij shlyerëse zëvendësuese.
Pyetja 25
A do të thotë vdekja e Krishtit që të gjitha mëkatet tona mund të falen?
Po, për shkak se vdekja e Krishtit në kryq e pagoi plotësisht ndëshkimin për mëkatet tona, në mënyrë të hirshme Perëndia na e llogarit ne drejtësinë e Krishtit sikur të ishte jona dhe nuk do t'i kujtojmë më mëkatet tona.
Pyetja 26
Çfarë gjëje tjetër shpengon vdekja e Krishtit?
Vdekja e Krishtit është fillimi i shpengimit dhe ripërtëritjes së çdo pjese të krijimit të rënë, ndërsa Ai në mënyrë të fuqishme i drejton të gjitha gjërat për lavdinë e Tij dhe të mirën e krijimit.
Pyetja 27
A shpëtohen të gjithë njerëzit përmes Krishtit ashtu si humbën përmes Adamit?
Jo, vetëm ata që janë të zgjedhurit e Perëndisë dhe të bashkuar me Krishtin përmes besimit. Megjithatë në mëshirën e Tij Perëndia u tregon hir të zakonshëm edhe atyre që nuk janë të zgjedhur duke kufizuar efektet e mëkatit dhe duke mundësuar veprat e kulturës për mirëqenien e njerëzve.
Pyetja 28
Çfarë u ndodh pas vdekjes atyre që nuk janë bashkuar me Krishtin përmes besimit?
Ditën e gjykimit ata do të marrin dënimin e frikshëm por të drejtë që do të shpallet kundër tyre. Ata do të dëbohen nga prania e hirshme e Perëndisë, në ferr, për t'u ndëshkuar ashpër, me të drejtë dhe përjetësisht.
Pyetja 29
Si mund të shpëtohemi?
Vetëm me anë të besimit në Jezu Krishtin dhe në vdekjen e Tij pajtuese dhe zëvendësuese në kryq; edhe pse jemi fajtorë për shkak se nuk i jemi bindur Perëndisë dhe ende priremi drejt çdo ligësie, megjithatë, Perëndia, pa ndonjë meritë nga ana jonë por vetëm prej hirit të Tij të pastër, na llogarit ne drejtësinë e përsosur të Krishtit kur ne pendohemi dhe besojmë në Të.
Pyetja 30
Çfarë është besimi në Jezu Krishtin?
Besimi në Jezu Krishtin është pranimi i gjithë të vërtetës që Perëndia na ka zbuluar në Fjalën e Tij, të zënit besë Atij dhe gjithashtu marrja e Tij dhe mbështetja vetëm tek Ai për shpëtimin tonë ashtu siç na është ofruar në Ungjill.
Pyetja 31
Çfarë besojmë rreth besimit të vërtetë?
Gjithçka që na mësohet në Ungjill. Besorja e Apostujve e shpreh atë që besojmë me këto fjalë. Ne besojmë në Perëndinë Atin e Plotfuqishëm, Krijuesin e qiellit dhe tokës; dhe në Jezu Krishtin Birin e Tij të vetëm dhe Zotin tonë, i cili u ngjiz prej Frymës së Shenjtë, lindi prej virgjëreshës Mari, vuajti nën Ponc Pilatin, u kryqëzua, vdiq dhe u ringjall. Ai zbriti në ferr. Ditën e tretë u ringjall sërish prej së vdekurish. Ai u ngjit në qiell dhe është ulur në të djathtë të Perëndisë Atit të Plotfuqishëm; prej andej do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit. Ne besojmë në Frymën e Shenjtë, në kishën e shenjtë universale, në bashkësinë e shenjtorëve, në faljen e mëkateve, në ringjalljen e trupit dhe në jetën e përjetshme.
Pyetja 32
Çfarë kuptimi kanë drejtësimi dhe shenjtërimi?
Drejtësim do të thotë që jemi shpallur të drejtë para Perëndisë, dhe kjo gjë është bërë e mundur përmes vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit për ne. Shenjtërimi është rritja jonë graduale në drejtësi e cila është bërë e mundur përmes punës së Frymës në ne.
Pyetja 33
A duhet ta kërkojnë shpëtimin ata që kanë besim në Krishtin përmes veprave të tyre apo ndonjë gjëje tjetër?
Jo, nuk duhet, për shkak se gjithçka që nevojitet për shpëtim gjendet në Krishtin. Të kërkosh shpëtim përmes veprave të mira do të thotë të mohosh faktin që Krishti është Shpëtimtari dhe Shpenguesi i vetëm.
Pyetja 34
Përderisa jemi shpenguar vetëm me anë të hirit, vetëm nëpërmjet Krishtit, a duhet që ende të bëjmë vepra të mira dhe t'i bindemi Fjalës së Perëndisë?
Po, për shkak se Krishti tashmë na ka shpenguar me gjakun e Tij, gjithashtu na ripërtërin përmes Frymës së Tij në mënyrë që jeta jonë të tregojë dashuri dhe mirënjohje për Perëndinë; në mënyrë që të sigurohemi për besimin tonë përmes fryteve të Tij; dhe në mënyrë që përmes sjelljes sonë të perëndishme të tjerët të mund të fitohen për Krishtin.
Pyetja 35
Përderisa jemi shpenguar vetëm me anë të hirit, vetëm nëpërmjet besimit, prej nga vjen ky besim?
Të gjitha dhuratat që marrim prej Krishtit i marrim prej Frymës të Shenjtë, dhe këtu përfshihet edhe vetë besimi.
Pyetja 36
Çfarë besojmë rreth Frymës të Shenjtë?
Besojmë që Ai është Perëndi, i bashkë përjetshëm me Atin dhe Birin, dhe që Perëndia ua jep Atë në mënyrë të pakthyeshme të gjithë atyre që besojnë.
Pyetja 37
Si na ndihmon Fryma i Shenjtë?
Fryma i Shenjtë na bind për mëkatin tonë, na ngushëllon, na drejton, na jep dhunti frymërore si dhe dëshirën që t'i bindemi Perëndisë; Ai na aftëson të lutemi dhe të kuptojmë Fjalën e Perëndisë.
Pyetja 38
Çfarë është lutja?
Lutja është hapja e zemrës tonë para Perëndisë me lavdërim, përgjërim, rrëfim për mëkatin dhe falënderim.
Pyetja 39
Me çfarë lloj qëndrimi duhet të lutemi?
Me dashuri, këmbëngulje dhe mirënjohje; me nënshtrim të përulur ndaj vullnetit të Perëndisë duke ditur që për hir të Krishtit Ai i dëgjon gjithmonë lutjet tona.
Pyetja 40
Për çfarë duhet të lutemi?
Gjithë Fjala e Perëndisë na drejton dhe frymëzon në gjërat për të cilat duhet të lutemi, dhe këtu përfshihet edhe lutja që vetë Jezusi na mësoi.
Pyetja 41
Çfarë është Lutja e Zotit?
Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, në tokë si në qiell. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Dhe na i fal fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë. Dhe mos na lër të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen
Pyetja 42
Si duhet të lexohet dhe dëgjohet Fjala e Perëndisë?
Me zell, përgatitje dhe lutje, në mënyrë që ta pranojmë me besim, ta fshehim në zemrën tonë dhe ta vëmë në zbatim në jetën tonë.
Pyetja 43
Çfarë janë sakramentet apo urdhëresat?
Sakramentet apo urdhëresat e dhëna nga Perëndia dhe të themeluara prej Krishtit, pagëzimi dhe Darka e Zotit, janë vula dhe shenja të dukshme që ne jemi të lidhur së bashku si bashkësi besimi përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij. Përmes përdorimit të tyre prej nesh, Fryma i Shenjtë i shpall dhe i vulos në mënyrë edhe më të plotë premtimet e ungjillit për ne.
Pyetja 44
Çfarë është pagëzimi?
Pagëzimi është larja me ujë në emrin e Atit, Birit dhe Frymës të Shenjtë; pagëzimi simbolizon dhe vulos birësimin tonë në Krishtin, pastrimin tonë prej mëkatit dhe përkushtimin tonë për t’i përkitur Zotit dhe kishës së Tij.
Pyetja 45
A është pagëzimi me ujë vetë larja e mëkatit?
Jo, vetëm gjaku i Krishtit dhe ripërtëritja e Frymës së Shenjtë mund të na pastrojë prej mëkatit.
Pyetja 46
Çfarë është Darka e Zotit?
Krishti i urdhëroi të gjithë të krishterët të hanë nga buka dhe të pinë nga kupa duke kujtuar me mirënjohje Atë dhe vdekjen e Tij. Darka e Zotit është një kremtim i pranisë së Perëndisë në mesin tonë; na sjell në përbashkësi me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin; i ushqen dhe forcon shpirtrat tanë. Darka e Zotit është gjithashtu një shenjë e pritjes së ditës kur do të hamë dhe pimë me Krishtin në mbretërinë e Atit të tij.
Pyetja 47
A i shton Darka e Zotit ndonjë gjë veprës shlyerëse të Krishtit?
Jo, Krishti vdiq një herë për të gjithë. Darka e Zotit është një vakt besëlidhjeje që kremton veprën shlyerëse të Krishtit ashtu siç është gjithashtu një mjet për forcimin e besimit tonë ndërsa shohim drejt Tij, si dhe një parashijim i gostisë së ardhshme. Mirëpo, ata që marrin pjesë në të me zemra të papenduara hanë dhe pinë gjykim për veten e tyre.
Pyetja 48
Çfarë është Kisha?
Perëndia zgjedh dhe ruan për Vete një komunitet të zgjedhurish për jetën e përjetshme, të cilët të bashkuar prej besimit dhe dashurisë mësojnë prej Perëndisë dhe e adhurojnë atë së bashku. Perëndia e dërgon këtë komunitet të shpallë ungjillin dhe të pasqyrojë mbretërinë e Krishtit përmes cilësisë së jetës së tyre së bashku dhe prej dashurisë së tyre për njëri-tjetrin.
Pyetja 49
Ku është Krishti tani?
Krishti u ringjall trupërisht nga vdekja ditën e tretë dhe është ulur në krahun e djathtë të Atit, Ai sundon mbi mbretërinë e Tij dhe ndërmjetëson për ne, gjersa të kthehet për të gjykuar dhe ripërtërirë gjithë botën.
Pyetja 50
Çfarë kuptimi ka ringjallja e Krishtit për ne?
Krishti triumfoi mbi mëkatin dhe vdekjen duke u ringjallur fizikisht, kështu që të gjithë ata që besojnë në Të ringjallen në një jetë të re në këtë botë dhe në jetë të përjetshme në botën e ardhshme. Ashtu si ne do të ringjallemi një ditë edhe kjo botë do të ripërtërihet. Por ata që nuk i besojnë Krishtit do të ringjallen për të shkuar në vuajtjen e përjetshme.
Pyetja 51
Çfarë dobie ka për ne ngjitja e Krishtit në qiell?
Krishti u ngjit fizikisht në qiell për ne, ashtu si erdhi fizikisht në tokë për llogarinë tonë, tani Ai është avokati ynë në praninë e Atit të Vet, po përgatit një vend për ne dhe gjithashtu na dërgon ne Frymën e Tij.
Pyetja 52
Çfarë shprese na jep jeta e përjetshme?
Ajo na kujton që kjo botë tashmë e prishur nuk është gjithë sa ekziston; shumë shpejt do të jetojmë me Perëndinë dhe do të kënaqemi me Të në qytetin e ri, në qiellin e ri dhe tokën e re, ku do të jemi plotësisht dhe përjetë të çliruar nga çdo mëkat duke jetuar në trupa të ringjallur dhe të ripërtërirë në një krijim të ri dhe të ripërtërirë.
Translation: Asim Hamza, Editing: Elton Tahirllari